Mir se vini riniakosovare.tk

Edukimi

Gjuhët e huaja / Mbesin 60% e studentëve, vendosen kritere të reja pranimi

Sipas pedagogëve të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, viti i parë ka shënuar rekord studentësh të dobët

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës do të përcaktojë kritere të reja për pranimin e studentëve, pasi viti i kaluar solli një kontigjent studentësh aspak cilësorë. Madje numri i studentëve të dobët në vitin e parë për këtë fakultet ka shënuar shifra alarmante dhe të panjohura më parë. Sipas pedagogëve të këtij fakulteti, plot 60 për qind e studentëve të vitit të parë janë ngelës në provime.

Kriteret

Kritere të forta dhe asnjë tolerim për të shmangur fenomenin e prurjeve të studentëve të dobët. Kështu kanë vendosur drejtuesit e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja për këtë vit akademik,sipas të cilëve do të bëhet seleksionimi i kandidatëve. "Pasi të bëhet kuotimi i studentëve që do të përzgjedhin një nga degët në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe pikërisht ne u kemi kërkuar që MASH të mundësojë testimin e tyre dhe në bankat e fakulteteve të ulen studentë të cilat kanë njohuri të nivelit mesatar", pohon dekanja e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, duke shtuar se kanë kërkuar studentë me mesatare mbi 8. Sipas saj është jashtë logjike që një student me mesatare 5 në shkollën e mesme të arrijë të përfundojë shkollën e lartë.

Cilësia

Pedagogët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja janë shokuar nga rezultatet e studentëve të parë të cilët kanë shfaqur përgatitje nën zero. Në fakt paralajmërimi i tyre për këtë cilësi ka dalë i saktë, pasi ata u pranuan vjet pa kritere dhe cilësia e tyre lë për të dëshiruar. Kështu rreth 60 për qind e studentëve të vitit të parë kanë ngelur në provime dhe në degën e greqishtes ka kaluar vetëm një nxënës. Por e njëjta situatë paraqitet edhe në të tjera departamente dhe për këtë pedagogët kanë vendosur kritere të forta për penguar fenomenin. "Në klasë ka edhe studentë të cilët nuk dinë asnjë fjalë frëngjisht dhe rezultojnë që të jenë në një grup me studentë të tjerë të cilët kanë bërë 4 vjet apo 5 vjet frëngjisht. Ka devijime, pasi ka edhe studentë që kanë bërë në shkollë të mesme anglisht, italisht apo gjuhë tjetër dhe janë regjistruar për frëngjisht", pohon shefi i departamentit të Frëngjishtes, Raul Lilo, duke shtuar se edhe këta studentë janë në nivele të ulëta.


"Divorc" me universitetin ku janë nëse kërkojnë degë tjetër

Sipas burimeve të DART, kandidatët e mbajnë të fshehtë se janë studentë. Ndaj u kërkojmë dëftesën origjinale

Divorcohuni nga universitete në të cilat ndiqni studimet, në të kundërt nuk do t'u jepet mundësia të vazhdoni një universitet tjetër. Kjo është përgjigja që u është dhënë dhjetëra personave që kërkojnë të ndryshojnë degë këtë vit. Sipas burimeve të Drejtorisë Arsimore të Rajonit të Tiranës, shumë studentë që kanë dhënë maturën shtetërore gjatë 2 viteve paraardhëse kanë shfaqur interes për të vazhduar një fakultet tjetër por kjo nuk do të ndodhë nëse ata nuk dorëzojnë dëftesën origjinale. Ndërkohë burime zyrtare të Ministrisë së Arsimit pohojnë se, kusht për këtë kategori studentësh është jo vetëm dorëzimi i dëftesës origjinale të shkollës së mesme, por edhe dhënia e provimeve me zgjedhje. "Problemi i kësaj kategorie kandidatësh duhet të diskutohet me dekanin e Fakultetit ku janë pasi çregjistrimi mund të ketë implikime financiare dhe në këtë rast është fakulteti ai që është dakord, apo jo",- pohojnë burime zyrtare. Ndërkohë edhe vetë drejtuesit e shkollave të mesme pohojnë se në mënyrën më kategorike, nuk duhet t'i jepet mundësia kësaj kategorie studentësh të ndjekin njëkohësisht dy fakultete.

Fituesit

Janë shpallur fitues vitet e kaluara por këtë vit kanë vendosur jo vetëm të fitojnë një degë tjetër, por të vazhdojnë edhe atë që kanë. Për të arritur këtë, specialistë të Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës, shpjegojnë se kjo kategori paraqitet me dëftesë të noterizuar dhe mundohen të mbajnë të fshehtë faktin se vazhdojnë një fakultet tjetër. "Ne në fakt nuk jemi në gjendje të verifikojmë nëse kandidatët janë studentë diku tjetër por ajo që kërkohet në Rregulloren e Maturës Shtetërore dhe e vërteton një gjë të tillë, është kërkesa e Dëftesës origjinale të Shkollës së Mesme, të cilën u duhet ta tërheqin patjetër në fakultetin ku vazhdojnë studimet",- pohojnë specialistët e DART-it. Sipas tyre, interesi për të vazhduar 2 fakultete njëkohësisht vihet re tek shumë studentë, por kjo nuk është e lejuar. "Pra, kushti është që këtë kandidatë të divorcohen nga dega të cilën ndjekin për të vazhduar një degë tjetër, në të kundërt, kjo nuk do të lejohet për askënd",- theksojnë specialistët.

Provimet

Duhet të plotësojnë patjetër Formularin A1 si të gjithë kandidatët e tjerë dhe duhet të japin provimet me zgjedhje, pasi provimi i dy viteve të kaluara nuk do t'u merret aspak në konsideratë. Kështu shprehen specialistët e arsimit, të cilët theksojnë se matura shtetërore do të veprojë me të njëjtat kushte për të gjithë kandidatët edhe pse disa prej tyre janë shpallur fitues vitet e kaluara. "Kandidatët që duan të konkurrojnë përsëri edhe pse janë shpallur fitues dhe vazhdojnë aktualisht universitetin, do të japin privimet me zgjedhje për të vazhduar fakultet tjetër dhe duhet t'i japin fund edhe asaj dege që ndjekin aktualisht",- shpjegojnë specialistët e DART-it.

Drejtorët: Ndjekja e 2 fakulteteve njëkohësisht, e padrejtë dhe pamundur

Pretendimet e shumë studentëve për të ndjekur 2 fakultete njëkohësisht jo vetëm që i quajnë pretendime të kota, por të pamundura dhe të padrejta. Kështu shprehen disa nga drejtuesit e shkollave të mesme të Tiranës, të cilët pohojnë se nuk do të pranojnë askënd të plotësojë Formularin A1 nëse nuk paraqesin Dëftesën origjinale të Shkollës së Mesme. "Mendoj se vendi ynë nuk ka mundësi të përballojë kostot e personave që duan të ndjekin më shumë se 1 fakultet njëkohësisht, ndaj dhe kjo nuk duhet lejuar për askënd",- pohon drejtori i shkollës së mesme "Sami Frashëri", Jovan Kristiqi. Ndërkohë, ai këto pretendime i hodhi poshtë edhe me argumentin se studentët nuk kanë mundësi të ndjekin 2 fakultete njëkohësisht, pasi kjo është e pamundur për ta. "Kur nis të bësh 2 punë njëkohësisht, asnjërën nuk e bën mirë. Ndaj, personat që kanë pretendime të tilla duhet të mbarojnë fakultetin që janë dhe pastaj të nisnin tjetrin, ose të shkëputen përfundimisht nga ai ku janë dhe të nisin degë të tjera që dëshirojnë",- pohon Jovan Kristiqi. Ndërkohë, të njëjtin mendim kanë shfaqur edhe drejtues të tjerë të shkollave të mesme të Tiranës.

MASH bën të ditur kategoritë që duhet të përfitojnë nga Ekselenca. Afati i regjistrimit deri më 30 mars

MASH hap aplikimet për FONDEX 2008

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur hapjen e procedurave të aplikimit për Fondin e Ekselencës (FONDEX) për vitin 2008. Kështu, burime zyrtare të MASH-it pohojnë se për këtë fond mund të aplikojnë 4 kategori. Përfitues mund të jenë studentë, që kryejnë studimet e Doktoratës jashtë vendi dhe shkencëtarë të rinj, për studimet e Postdoktoratës, jashtë vendit. "Përfitues do të jenë edhe studentë, fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare, si edhe studiues me botimet e tyre me nivel të lartë shkencor",- pohojnë burime zyrtare të MASH-it, duke shtuar se afati i dorëzimit të dokumenteve është deri në datën 30 mars 2008. Aplikimet, sipas tyre, janë individuale dhe klasifikimi i kandidatëve do të jetë transparent dhe publik. "Për herë të parë pas shumë vitesh, vitin e kaluar qeveria shqiptare parashikoi në buxhet një fond të posaçëm, për studime të plota Doktorate apo Postdoktorate të dhjetëra shkencëtarëve të rinj që

duan të studiojnë në universitete perëndimore prestigjioze",- pohojnë burime zyrtare të MASH-it, duke shtuar se këta studiues detyrimisht duhet të kthehen në Shqipëri për 5 vjet dhe të kontribuojnë me dijet e tyre në atdhe. Ndërkohë MASH bëri publike dhe proceduarat e përzgjedhjes së kandidatëve, e cila shpalli programin sipas fushave dhe afatet e dorëzimit të dokumenteve, si dhe kriteret e përgjithshme për përzgjedhjen e kandidatëve (deri në 30 mars të çdo viti). "MASH, pas konsultimeve me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës, lëshon një urdhër, me anë të të cilit ngrihen Komisionet e Përzgjedhjes (KP) Ad-Hoc sipas fushave dhe Sekretaria Teknike e Programit (STP), e cila pasi bën verifikimin e dokumentacionit, i jep informacion ministrit për numrin e aplikantëve dhe fushat ku ata kanë aplikuar",- pohojnë burime zyrtare duke shtuar se Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës, harton kriteret e vlerësimit dhe klasifikimit të kërkesave përmes një sistemi pikëzimi, të cilat bëhen publike për çdo të interesuar.


Gjimnazet, rreth 40 % e nxënësve ngelës në semestrin e parë

Sipas DRAT nota mesatare e shkollave të mesme është 6.6. Drejtorët: Nxënësit vijnë në shkollë për të kaluar kohën

Në gjimnazet e Tiranës tëtrondit fakti se vetëm 66% e nxënësve arrijnë të kalojnë semestrin. Gati gjysma e nxënësve rezulton të jenë ngelës, duke e filluar në këtë gjendje pjesën tjetër të vitit shkollor. Këto janë rezultatet e semestrit të parë, të cilat bëhen publike për gazetën nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës. Shifra reflektohet plotësisht edhe në cilësitë e mësimnxënies tek të rinjtë, pasi edhe mesatarja e tyre lë shumë për të dëshiruar. Ndërkohë, drejtuesit e shkollave pohojnë se për një pjesë të mirë të nxënësve shkolla është vetëm një vend për të kaluar kohen, dhe asgjë më shumë. “Rezultatete dobëta tregojnë se shumë nxënës vijnë në shkollë sa për të kaluar kohën, dhe kjo vihet re sidomos në vitet e para ku mbi gjysma janë ngelës”, pohon drejtori i gjimnazit “Aleks Buda”,- Ndue Kolndreu, sipas të cilit shumica e tyre nuk janë të motivuar për të mësuar, por të dhënë pas kafeneve dhe aktiviteteve të tjera që nuk kanë lidhje me shkollën. Ndërkohë të njëjtin mendim me të ndajnë edhe kolegë të tjerë të cilët theksojnë se ky është një fenomen shumë problematik.

Kalueshmëria

Nxënësit e shkollave të mesme tashmë jo vetëm që nuk preokupohen për të arritur rezultate të larta, por atyre nuk iu bëhet vonë edhe nëse ngelin në disa lëndë. Të paktën kështu ndodh për një pjesë të mirë të adoleshentëve tanë, pasi rezultatet e semestrit të parë për shkollat emesme tregon se rreth 40 për qind e nxënësve janë ngelës. Kjo pjesë e madhe kompromenton imazhin e përgjithshëm të gjimnazeve, dukë bërë që nota mesatare e të gjitha shkollave të jetë një 6.6 meskine. Ndërkohë me kalueshmëri dhe notë mesatare më të ulët janë renditur gjimnazet “A. Z. Çajupi” dhe gjimnazi “Sinan Tafai” me kalueshmëri respektive54 % dhe55%. Nota mesatare tek “Çajupi” është llogaritur 6.5.

Më të mirët

Si gjithmonë listën si më i miri e kryeson gjimnazi me traditë të konsoliduar tashmë “Qemal Stafa”. Kalueshmëria e këtij gjimnazi për këtë semestër është më e madhja ndër gjimnaze me 77%, ndërsa nota mesatare llogaritet 7.5. Kjo shkollë dy vjet radhazi është renditur më e mira në maturat shtetërore, me numrin më të madh të nxënësve që vazhdojnë studimet e larta. Kjo shkollë u hap 80 vjet mëparë në vitin 1925. Kryeministri i qeverisë shqiptare të asaj kohe, Ahmet Zogu, me anë të një dekreti urdhëroi hapjen e gjimnazit të parë shtetëror në kryeqytetin shqiptar, fillimisht me një drejtor, katër profesorë, dy mësues, dhe 25 nxënës. Gjithashtu ky gjimnaz ka nxjerrë nga bankat e tij sipas gradave të dikurshme 18 “Mësues të Popullit” dhe 12 “Mësues të Merituar”. Radha ndiqet nga gjimnazi “Sami Frashëri”, kalueshmëria e të cilit për këtë semestër është 69 %. Nota mesatare ndryshon vetëm me 0.1 pikë diferencë nga vendi i parë dhe është llogaritur 7.4.

66 për qind është kalueshmëria në shkollat e mesme të Tiranës

6.6 është nota mesatare e shkollave të mesme të Tiranës sipas DAR
 



MASH: Koeficientët, gati para se të plotësohet Formulari A1

Sipas drejtoreshës së Politikave të Arsimit, Hoxha, kanë njoftuar universitetet të sjellin keoficientët. Ja si llogariten

Koeficientët e lëndëve me zgjedhje do të publikohen brenda pak ditësh. Kështu, një ditë pas publikimit në gazetë të shqetësimit të maturantëve dhe drejtuesve të shkollave për mungesën e koeficienteve, drejtoresha e Politikave të Arsimit të Lartë pranë MASH-it, Elida Hoxha ka premtuar se universitet do të shpallin shumë shpejt koeficientët. Madje ajo pohon se maturantët nuk do ta plotësojnë Formularin A1, pa u bërë publike koeficientët. "U është dërguar informacioni tashmë universiteteve dhe u është kërkuar përcaktimi i koeficientëve për lëndët me zgjedhje dhe llojin e shkollës. Ndërkohë, Hoxha shpjegon se si llogariten koeficientët dhe sa të rëndësishme janë ato.

Shpallja e koeficientëve

Maturantët do të kenë mundësinë të bëjnë zgjedhjet për lëndët me zgjedhje, kur të kenë koeficientët përpara. "Në universitete është dërguar një shkresë, ku është kërkuar që këto institucione të sjellin propozimet e tyre për koeficientët. Disa i kanë sjellë tashmë, si Akademia e Fizkulturës, Universiteti Bujqësor, Universiteti i Korçës, ndërsa Universiteti i Tiranës do t'i sjellë nesër", - pohon Hoxha duke shtuar se këto dy ditë do të marrim të gjithë informacionin që do të shpërndahet në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe më tej, në shkollat e mesme. Sipas saj e rëndësishme për nxënësit tani është të njihen me të, me koeficientët e lëndëve me zgjedhje dhe të llojit të shkollës së mesme, pasi në bazë të tyre ata do përcaktojnë lëndët që do japin në provimet me zgjedhje, të përputhshme me degët e universiteteve që ata duan të ndjekin. Ndërkohë ajo pohon se MASH e AVA do të botojnë disa fletë-palosje apo broshura që do të përmbajnë tabelën e koeficientëve, në mënyrë që ky informacion të shkojë deri te maturanti.

Koeficientët dhe llogaritja

Janë dy lloje koeficientësh për pranimet në shkollat e larta. Kështu, lloji i parë i koeficienteve, ka të bëjë me 5 koeficientët e llojit të shkollës së mesme. Sipas Elida Hoxhës, çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficientë, nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4) me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient, për 2 a më shumë lloje shkollash. Secila nga 3 notat e para (nota mesatare dhe 2 notat për provimet e lëndëve të detyruara, Matematikë e Gjuhë-Letërsi) shumëzohen me koeficientët e vendosur nga dega e fakultetit, respektivisht, llojit të shkollës së mesme që ka kryer kandidati. Ndërsa lloji i koeficientit të dytë ka të bëjë pikërisht me 2 koeficientët e lëndës (ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë. Sipas Elida Hoxhës, çdo degë e shkollës së lartë shpall gjithashtu parapëlqimin e vet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, natyror apo shoqëror. Parapëlqimi shprehet me anë të 2 koeficientëve të tjerë, me vlerë 1.3 ose 1.0. Me 1.3 shumëzohet nota e provimit me zgjedhje që është e parapëlqyer dhe me 1.0 në rastin e kundërt. Këta koeficientë nuk varen nga lloji i shkollës së mesme që ka kryer kandidati për student.

Secila nga 2 notat e lëndëve me zgjedhje, shumëzohen me koeficientët e llojit të lëndës (1.0 dhe 1.3) të vendosur nga dega e fakultetit.

Pse duhen koeficientët?

Skema e pranimit në shkollën e lartë, pra Matura Shtetërore, ka parasysh edhe larminë e shkollave të mesme dhe programit mësimor të tyre. Zbatimi i këtij sistemi koeficientëshreflekton pikërisht këtë larmi, për të zbatuar gjithmonë e më mirë parimin e meritës për të shkuar në shkollën e lartë.

Search site

© 2008 All rights reserved.