Mir se vini riniakosovare.tk

Histori

“Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e atdheut tim, për lirinë e popullit tim! ”.
“ Në është Evropa se nuk do ta zgjidhte drejt çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë qetësi kurrë, dhe për këtë faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë, deri sa të çlirohemi! ”.
“ Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipnia! ”.
- Isa Boletini
Isa Boletinit, kjo figurë markante, që zënë vend të pa diskutueshëm në historinë e popullit shqiptarë krahas atyre që dhanë aq shumë për lirinë e atdheut tonë si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Ismail Qemali, Idriz Seferi e shumë të tjerë. Isai u rritë me armë në dorë, jetoi me te, dhe plot një jetë rrugëtoi me te drejt shtigjeve të lirisë. Isai, armët e lirisë kurdo herë i kishte gati kundër pushtueseve tanë. Lindur dhe rritur në Boletinin e tij të lashtë, në një familje me tradita atdhedashurie, trashëguar nga gjyshi Murseli dhe i ati Ademi, të cilët nuk kishin pushuar kurrë së reshturi për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare. Në kushte dhe rrethana të atëhershme politike, ekonomike, por edhe rrethana tjera të traditës u rrit, burrërua dhe u kalit Isa Boletini i cili tërë jetën e vet ia përkushtoi atdheut.
Fuqitë e mëdha Evropiane me vendimet e tyre të mbrapshta, rënduan edhe më shumë pozitën tonë, duke mohuar të drejtën tonë për vetëvendosje dhe duke ndarë tokat tonë në favor të shteteve fqinje! Mbledhja e zezë e Shën Stefanit e pasuar më vonë edhe me Kongresin e Berlinit ( 13 qershor 1878 ), ku i vunë thikat mbi tokat tona, megjithëkëtë, populli ynë liridashës kurrë nuk u pajtua ( as sot), me fatin tragjik të ndarjes së tokave shqiptare. Kështu, nën trysninë e këtyre rrethanave diktuese e rënduese, edhe Isai, me gjithë se i ri në moshë, ju bashkëngjit rrugës së përpjekjeve për çlirimin e atdheut me plot sakrifica. Ai për herë të parë me armë në dorë u ndesh kundër pushtueseve tanë në betejën e Slivovës në vitin 1881, si të thuash, ai për herë të parë ndjeu erën e barotit, që e përcolli atë tërë jetën.
Isa Boletini mes figurave të mëdha të kombit tonë të cilët kaluan dekadat maleve dhe dekadat metropoleve të diplomacive të mëdha në shërbim të çlirimit të vendit tonë, me armët e lirisë i goditi në shtat lubitë e Hafëz, Mehmet, Qyrdi, Hilmi, Shemsi, Magjar e Turgut Pashave, Sulltanët e Krajlët e pangopur, ndërkaq më armën e diplomacisë, goditën Portën e lartë të Stambollit, Serbisë, Malit të Zi, Rusisë... befasuan Vjenën, Selanikun, Parisin, Bukureshtin, Londrën e deri në Uashington! Isa Boletini, luftoi pa kompromis kundër serbëve dhe malazezëve tinëzarë, të cilët për ta thyer Isanë e sulmuan me dhjetëra herë, duke ia djegur edhe kullën e tij rrafsh me tokë... Mirëpo, populli ynë e ngriti këtë kullë e ngriti dhe e bëri
edhe më të madhe se ç’ishte. Isai, me shërbimin e tij që i bëri atdheut, kullën e tij e shndërroi në kullë Legjendë. Së bashku me kullën, po rritej edhe emri dhe heroizmi i Isait dhe i popullit shqiptarë në përgjithësi, që po vritej e pritej për lirinë e vet. Përpjekjet e një pas njëshme të armiqve tanë të ndryshëm, me dhelpëri e diplomaci për ta komprometuar Isain, duke i ofruar atij ofiqe të larta, pasuri, flori, tokë e jetë Pashai, sikur shkuan kot, pasi që Isai kurdoherë ua priste shkurt dhe qartë, duke iu thënë :
“ Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e atdheut tim dhe për lirinë e popullit tim”.


Me gjithë presionet dhe përpjekjet që i bënë Isait, duke e mbajtur për disa kohë edhe si lloj pengu në Turqi, përpjekje këto të cilat shkuan kot, nga se Isa asnjë herë nuk hoqi dorë nga lufta për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare. Ata provuan me të gjitha joshjet e tyre, me pasuri e dredhi, se mos Isait po ia mbushnin mendjen që ai të qëndronte në Turqi përherë?! Mirëpo, jo, Isai si gjithmonë qetë e me maturi, u përgjigj qartë:
“Ju falëm nderit për “kujdesin” që po m’tregoni për mua, por ma i mirë ashtë për mua Boletini im me ata gurë e kepa, se sa e tanë Stambolla juaj”. Isa Boletinin, lufta për liri të atdheut e bëri strateg e diplomat, ai artin luftarak e përsosi me pushkë në dorë nëpër shkrepat e Kosovës martire, aty në sa e sa beteja të përgjakshme përballë lubisë Osmane dhe intrigave Serbo- Malaziase, kurse artin e diplomacisë e mësoi nga tribuni Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Imail Qemali etj. Aftësia e Isait prej luftëtari, dhe modestia e tij më së njerëzore e bëri atë edhe më të afërt dhe më me ndikim tek masat e gjëra popullore, prandaj ai i organizonte ato kurdoherë dhe pa as një kundërshtim, thjesht Isai posedonte dhunti prej luftëtari, strategu e diplomati, pa dyshim dhunti prej tribuni popullor.

Isai kontribuoi fuqishëm edhe në pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave tek populli ynë, me qëllim që të krijojë një unitet sa më të madh kundër armikut, dhe këtë e bëri duke u nisur nga shembulli personal. Në një kuvend që e kishte thirrur vet Isai, ishin tubuar shumë burra të asaj ane. Isai vërejti se aty po mungonte Ahmet Shtitarica dhe pyeti: Burrani, ku është Ahmeti?. I thanë se nuk kishte pasur guximin të vinte, nga se ia kishte borxh gjaku! Ta sillni këtu me një herë!- urdhëroi Isai, duke shtuar:
“Gjak borxh sot na ka vetëm anmiku ynë, ne jena vëllazen e duena me u bashkue e me dek për liri të vatanit... Ai që mas sotit ngreh pushkë ndër veti, ka me kenë bash hasmi ynë!”... Isa Boletini, ndër beteja të pa rreshtuar e detyroi disa herë portën e lartë që të bëj lëshime. Ai e pengoi hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë, duke likuiduar edhe konsullin e saj Grigori Shçerbinin të cilin e vrau luftëtari i shquar Gjilanas Ibrahim (Halit) Popoci .
Në pamundësi të përvetësimit të Isait, xhonturqit i vunë përpara një sërë sprovash të rënda, madje duke ia marrë të dy djemtë peng, Halitin dhe Tafilin. Isai i palëkundur me këtë rast u përgjigj:
” Jam ba gati që të dy djemtë e mi t’i bëj kurban për atdhe, por jo edhe me ia puthun dorën anmikut të popullit tim!”...
Isa Boletini së bashku me Idriz Seferin, Ramadan Zaskocin, Hasan Ferrin, Dem Jusufin, Elez Hoxhën, Hasan Hysë Budakoven e shumë trima të tjerë morën pjesë në dhjetëra beteja për shpëtimin e atdheut, ndër betejat më të përgjakshme që Isai qëndroi pa tundur, ishte ajo për ta mbijetuar grykën e Carralevës. Në këtë betejë Isai tregoi aftësitë e një strategu të vërtetë. Me 18 maj 1912, në një kuvend që u mbajt afër Vushtrrisë, ku ishin tubuar edhe krerë nga Dibra e Shkodra, madje ishte prezent edhe vet sekretari personal i Ismail Qemalit, Isai mbajti qëndrim të prerë:
” Asht i domosdoshëm zgjanimi i kryengritjes sonë në tokat shqiptare, sot nuk ka me ba sehir, të tanë duhet me luftue që të çlirohemi sa ma parë!”...
Isa Boletinin, lubitë Osmane disa herë e rrethuan me qëllim që ta likuidonin, atë këtë nuk e arritën dot- ndodhte që Isai edhe plagosej në luftë e sipër, por që kurrë nuk dobësohej morali i tij luftarak. Ishte i pa thyer dhe shokëve u jepte kurajë siç e thotë edhe kënga popullore:”... Po i lidh plagët me maramë bini shokë ta bajmë piskamë jem shqiptarë s’dorzohna t’gjallë pa na ra zjarmi në qafë”. Me 1912 Edit Durham shkruan:


”Isa Boletini ishte një udhëheqës i mirë, i zgjuar dhe humanist i madh i cili donte vetëm lirinë e tokave shqiptare. Luftëtarët e tij nuk urrenin popujt e tjerë, thjesht, ata dëshironin lirinë për popullin e vet”
...Ismail Qemali, me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë së cunguar, kur mori lajmin se po vinte Isa Boletini, mori flamurin dhe i doli vet përpara, duke i thënë:
”I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për pavarësinë e Shqipërisë!”. Në prill të vitit 1913, delegacioni ynë mbërriti në Londër, ku po zhvillohej Konferenca e ambasadorëve. A. Herbert shkruan:
“Isa Boletini ishte figura më piktoreske e këtij delegacioni dhe e quajti atë Robin Hudi shqiptar!”
Në maj të këtij viti Isa Boletini u shpreh qartë edhe kundër vendimeve të kësaj konferencë duke ju thënë:
” N’është se Evropa nuk do ta zgjidhte drejt çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi dhe për këtë faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë deri sa të çlirohemi!”.
Në kohën kur ushtria Austriake po përgatitje për të pushtuar Podgoricën, forca të mëdha policore malaziase të ndihmuara edhe nga konsullata Franceze, tradhtisht e vranë Isa Boletinin me 23 janar 1916 së bashku me dy të bijtë e dy nipat e vet si dhe me shokët e tij: Hajdar e Idriz Radishevën dhe Nesim Nimanin. Vrasja e pa besë ia ndërpreu Isait jetën në kulmin e veprimtarisë luftarake e diplomatike, ishte vetëm 52 vjeçar... Ai sfidoi të gjitha kurthet që armiqtë ia kishin përgatitur, dhe me guxim vazhdoi së marshuari drejt rrugëve të lirisë. Ai kundërshtoi fuqishëm vendimet e pa drejta të Konferencës së Londrës për copëtimin e tokave shqiptare në dobi të shteteve grabitqare fqinjë. Ai thoshte:

” Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipnia!”...
Me rastin e 50 vjetorit të Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në 1962, shteti Shqiptar Isa Boletinin e shpalli Hero të popullit. I tillë ishte Isa Boletini, pishtar i lirisë dhe udhërrëfyes për brezat e ri- Hero i popullit shqiptarë!

23 janar 2008
Mehmet BISLIMI

Search site

© 2008 All rights reserved.